De Raho: Kemi krijuar skuadra hetimore të përbashkëta

TIRANE, 26 Shkurt/ATSH/- Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero De Raho në kuadër të turit tij zyrtar në vendin tonë zhvilloi një vizitë në ambientet e Task Forcës Speciale nga ku deklaroi se me autoritetet shqiptare janë krijuar skuadra hetimore të përbashkëta

“Sot kam mundur të vizitoj një ekselencë, të këtij kursi të ri, që i jep shumë rëndësi luftës kundër krimit të organizuar”, tha ai.

I pyetur nga mediat se si e vlerëson procesin e Vetting-ut në radhët e policisë, Prokurori De Raho tha se është zgjidhja e një impenjimi serioz dhe të rëndësishëm.

“Task Forca, e cila po krijohet me qëllimin për të arritur objektivin e luftës dhe asgjësimit të krimit të organizuar, besoj se është zgjidhja e një impenjimi serioz dhe të rëndësishëm, i cili shkon në drejtimin e bashkëpunimit gjyqësor dhe bashkëpunimit të Policisë. Pikërisht për qëllimin e arritjes së objektivit të asgjësimit të mafies, të gjithë llojeve të mafieve”, u shpreh De Raho.

Ai bëri të ditur se po kryhen hetime të përbashkëta me policinë dhe magjistraturën shqiptare.

“Po kryejmë me Policinë dhe Magjistraturën shqiptare veprimtari hetimore shumë të rëndësishme. Kemi krijuar skuadra hetimore të përbashkëta, të cilat vënë në dukje një padepërtueshmëri të subjekteve që kanë marrë pjesë në të dhe një rezervim në konfidencialitet absolut të burimeve, gjë që tregon në vetvete sesa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe sa serioze ka qenë përzgjedhja e subjekteve që kanë marrë pjesë në skuadrat hetimore të përbashkëta”, tha De Raho.

Ndërsa i pyetur se a do të bashkëpunonte me autoritete shqiptare në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, prokurori De Raho vuri në dukje se bashkëpunimi ka nisur prej kohesh.

“Ne tashmë punojmë me Policinë dhe me autoritetet gjyqësore shqiptare prej kohësh dhe kemi me këto autoritete policore dhe gjyqësore, eksperienca hetimore shumë të gjera dhe komplekse, të cilat shohin të angazhuara shumë Prokurorinë në territorin kombëtar italian, në bashkëpunim të plotë dhe energjik me organet e Policisë dhe organet gjyqësore shqiptare. Unë duhet t’ju them që edhe rezultatet që arrihen në territorin tonë janë rezultate të rëndësishme”, deklaroi ai.

Ai tha se në Itali është konstatuar prania e grupeve kriminale shqiptare, të cilët pushtojnë brigjet tona të Jonit dhe Adriatikut, edhe të veriut të Adriatikut, me zbarkime, të trafikut të lëndëve narkotike, megjithëse janë droga të lehta. Por shtoi ai, ka hetime të cilat vënë në dukje se krimi i organizuar shqiptar fillon të menaxhojë edhe trafikun e kokainës.

“Ndërsa ky sektor më para ishte monopol total i Ndrangheta-s, sot krimi i organizuar fillon të merret edhe me këtë lloj lënde narkotike. Mesa duket aq sa më është thënë, fakti që ka pasur një luftë territoresh edhe nëpërmjet asgjësimit të plantacioneve të kanabisit, kjo mesa duket e ka detyruar kriminalitetin e organizuar që të merret edhe me lëndë të ndryshme, të tjera”, deklaroni Prokurori De Raho.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.