SHBA – Uashingtoni dënon përgjegjësinë e Moskës pas bombardimeve në Siri

UASHINGTON, 23 shkurt /ATSH-AFP/ – SHBA-ja dënoi sot përgjegjësinë e veçantë të Rusisë në bombardimet e kryera nga regjimi i Damaskut, që kanë shkaktuar më shumë se 400 të vdekur që prej të dielën në enklavën rebele të Gutas Lindore në Siri.

“Pa mbështetjen e dhënë nga Rusia për Sirinë, ky shkatërrim dhe këta të vdekur nuk do të kishin ndodhur”, deklaroi për shtypin Heather Nauert, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Të paktën 46 civilë të tjerë kanë humbur jetën dje.

“Kjo na kujton përgjegjësinë e veçantë të Rusisë në atë që po ndodh atje”, shtoi ajo.

Këto deklarata u bënë disa orë pas dështimit të një projektrezolute para Këshillit të Sigurimit të OKB-së që parashikon vendosjen e një armëpushimi humanitar 30-ditor në Siri.

Sipas saj, 400 të vdekurit reflektojnë dështimin e bisedimeve në Astana gjatë të cilave Turqia, mbështetëse e rebelëve sirianë, Irani dhe Rusia, aleate të regjimit të Bachar al-Assad ranë dakord për krijimin e zonave të armëpushimit në kuadër të reduktimit të dhunës në Siri./ /ec/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.