RUMANI – ”Academica Balkanica Europeana” trajtimi i Ballkanit si pjesë e civilizimit europian

190

BUKURESHT, 23 shkurt /ATSH-MIA/ – Akademia ballkanike e arteve, që u themelua në tetor në Bukuresht, me emrin “Academia Balkanica Europeana”, këto ditë filloi edhe zyrtarisht nga funksionimi.

Misioni i saj është promovimi i aktiviteteve dhe projekteve kulturore midis artistëve ballkanik dhe trajtimit të Ballkanit si pjesë përbërëse të civilizimit të përbashkët europian.

Kjo akademi ka 35 anëtarë nga Rumania, Greqia, Bullgaria, Turqia, Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, të cilët janë nga të gjitha fushat e kulturës si shkrimtarë, regjisorë, aktorë, kompozitorë dhe piktorë, veprat e të cilëve janë të përhapura në Europë.

Mes anëtarëve janë Vladislav Bajac, Slobodan Shijan, Ana Blandiana, Zhorzh Bani, Matej Vishnjek, Nedim Gursel, Bedri Bajkam, Bashkim Shehu, Vasil Tole, Gradimir Goijer, Marina Finci, Jasmila Zhbaniq, Alek Popov, Hristo Bojçev, Elena Panajotova, Branislav Miqunoviq, Arta Dobroshi, Veton Nurkolari dhe Jorgos Kunjaras.

Ndërkohë, anëtarë nderi janë shkrimtari turk Orhan Pamuk, kompozitori grek, Vangelis dhe artistja konceptuale me prejardhje serbe, Marina Abramoviç.

Kryetar i saj është regjisori dhe aktori Jon Karamitru, drejtor i Teatrit Kombëtar rumun dhe ish-ministër i Kulturës. Akademia do të ketë edhe revistë vjetore tematike të mbështetur dhe të financuar nga Akademia Evropiane./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.