Kosovë – Në kërkim të konsensusit për demarkacionin

PRISHTINË, 23 Shkurt/ATSH/.- Deputetët e Kuvendit të Kosovës shtyn për javën e ardhshme votimin për ligjin e demarkacionit, në përpjekje për arritjen e konsensusit.

Seanca nisi sot rreth orës 10:20, por pas më shumë se dy orë qëndrimi të deputetëve në sallë në pritje të sigurimit të votave u shty për ditën e mërkurë, ndërkohë që edhe gjatë mbrëmjes së kaluar deri vonë kanë vijuar përpjekjet për një konsensus të partive parlamentare nga maxhoranca e opozita, ku u përfshinë edhe diplomatë të akreditur në Prishtinë.

Pas pushimit për konsultim, ku nuk ka marrë pjesë shefi i grupit parlamentar të VV-së, seanca vijoi përsëri me deklarime të grupeve parlamentare për çështje procedurale, ku u theksua dakordimi i LDK, PDK, AAK, Nisma për Kosovën e grupit parlametar Gjashtë Plus që seanca të shtyhet në pritje të një konsensusi për kalimin e projektligjit.

Deputetët votuan me shumicë pro që seanca të shtyhet për të mërkurën e javës së ardhshme në orën 10:00.

Seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin nisi sot mes paqartësive. LDK-ja u deklarua pro ratifikimit, por kërkoi që raporti i Shpejtim Bulliqit të mos përfshihet në votim. Pikërisht këtë nuk e pranoi AAK-ja dhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se nuk do t’i hiqet asgjë projektligjit.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka dy vjet e gjysmë që skena politike kosovare është ndarë për një temë që ka të bëjë me territorin vendit, me kufirin me Malin e Zi, ndërsa duke iu drejtuar LDK-së tha se “asnjë germë nuk i hiqet” asaj që ka proceduar qeveria për projektligjin, nuk hiqet as Dokumentacioni i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Projektligji për demarkacionin ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Për të parë dilemat, qeveria ka formuar një komision, i cili ka nxjerrë një raport”, tha kryeministri.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm demarkacionin, ndërsa edhe Lista Srpska ka refuzuar t’i japë votë demarkacionit, duke vështirësuar pozitën e arritjes së numrave.

Demarkacioni u dërgua në Kuvend, pasi Presidenti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi u morën vesh që me anë të një aneks-marrëveshjeje të jetë i mundshëm korrigjimi i vijave kufitare edhe pas ratifikimit.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi u nënshkrua më 26 gusht të vitit 2015 dhe ratifikimi i tij është kushti kryesor nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.

Për shkak të refuzimeve të ashpra të opozitës së atëhershme që përbëhej nga VV-ja, AAK-ja dhe Nisma, si dhe në mungesë të votave të disa prej deputetëve të LDK-së, Demarkacioni prej tre vitesh nuk ka kaluar në Kuvend./b.j//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.