Mbështetje deri në 150 milionë lekë për hektar, për serat bashkëkohore

TIRANE, 17 Shkurt /ATSH/-Skema kombëtare për mbështetjen e bujqësisë 2018, do të financojë deri në 150 milionë lekë për hektar, fermerët që investojnë në ndërtimin e serave bashkëkohore.

Gjatë vizitës në qarkun e Durrësit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi është ndalur në një serrën organike, ndërtuar me një teknologji bashkëkohore, për të shpjeguar skemat e financimit të qeverisë specifikisht në këtë fushë.  

“Vitin 2017, ne e mbyllëm me një rritje prej 20 % të eksporteve bujqësore, krahasuar me vitin 2016. Arsyet kryesore ishin pikat e grumbullimit dhe shtimi i sipërfaqeve me serra. Për këtë arsye, pothuasje një e treta e gjithë skemës kombëtare, prej 20 milionë euro të këtij viti, do të shkojë në investimet për serrat. Ne japim grant deri në 50 % të vlerës të investimit, që e kthyer në terma nominalë do të thotë deri në 150 milionë lekë të vjetra për një hektar serrë.” u shpreh ministri.

Sipas tij, kjo serrë shërben si një model i një filozofie, që duhet t’a ndjekë bujqësia shqiptare, duke kapërcyer nga një bujqësi mbijetese, në një bujqësi komerciale, e cila siguron të ardhura dhe mirëqënie të kënaqshme, për të kaluar më pas, në stadin më të lartë të bujqësisë moderne, me një teknologji bashkëkohore.

“Financimet nga IPARD-i dhe nga skema kombëtare shkojnë deri në 50 % grant, fondi i garancisë i qeverisë shqiptare dhe BERZH-it, pjesën tjetër ta siguron me kredi të buta, pra rikthyeshmëria është më e ulët. Ne kemi garantuar riskun në një pjesë të mirë të investimit, ndaj dhe kreditë dhe tregu bankar do të bëhen gjithmonë e më interesante për investitorin” theksoi Peleshi.

Për qeverinë shqiptare, skemat e reja të mbështetjes financiare janë një paketë mundësish të reja për fuqizimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Nisur nga ky këndvështrim, ajo i ka kushtuar rëndësi investimeve në serra dhe modernizimit të teknologjisë dhe inovacionit, pasi shtimi i sipërfaqeve të serrave ishte një ndër faktorët, që ndikoi në rritjen e eksporteve të prodhimeve bujqësore për vitin 2017, i cili u vlerësua si një vit shumë i suksesshëm për bujqësinë shqiptare.

Skema në mbështetje të instalimit të sistemit të ngrohjes me biomasë (pelet) në serrat me ngrohje, do të financojë fermerët deri në 280 000 lekë për dynym. Financimi bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha; ndërsa për zëvëndësimin e plastmasit termik për serrat diellore ekzistuese, masa e përfitimit do të jetë, jo më shumë se 750 000 lekë/ha. Financimi bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha, u shpreh Peleshi.

Aktualisht serrë organike në Durrës është e mbjellë me domate, kastraveca, speca dhe bostan, kultura të cilat janë përfituese të Skemës së Mbështetjes Financiare. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.