Ekonomia e Kosovës ka vijuar të rritet me ritme të shpejta

TIRANE, 17 Shkurt /ATSH/- Ekonomia e Kosovës ka vijuar të rritet me ritme të shpejta edhe në tremujorin e tretë të vitit 2017, e mbështetur nga investimet dhe rritja e fortë e eksporteve neto, kryesisht ato të sektorit minerar.

Në raportin mbi politikën monetare, të publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë, analizohet ndër të tjera se Kosova shteti me moshën më të re, që sot feston 10 vjetorin e pavarësisë, po shënon ecuri pozitive të qëndrueshme të tregueseve ekonomikë.

Sipas BSH-së, gjatë këtij tremujori shpenzimet konsumatore e ato qeveritare kanë njohur një ngadalësim, të ndikuara nga zhvillimet politike në Kosovë. Ndërsa inflacioni ka shënuar rënie në muajt e fundit të vitit.

Raporti i Bankës së Shqipërisë nënvizon se Kosova dhe ekonomitë e vendeve të tjera të rajonit, kanë përshpejtuar ritmin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë të vitit. Rritja duket se është e bazuar në kërkesën e brendshme, me kontribut pozitiv nga shpenzimet konsumatore dhe investimet, por edhe në ecurinë e përmirësuar të eksporteve.

Punësimi ka shfaqur shenja përmirësimi, por norma e papunësisë vijon të qëndrojë mbi nivelin e saj natyror. Rajoni pritet të përjetojë zhvillime pozitive në periudhën në vazhdim, duke përfituar nga kërkesa e brendshme e qëndrueshme, nga përmirësimi i ekonomive partnere tregtare dhe nga qëndrueshmëria politike, citon raporti BSH-së. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.