Tirana, një vizion për të ardhmen e një kryeqyteti mesdhetar?

335

TIRANE, 16 shkurt /ATSH/ – Dy javë më parë, e përjavshmja angleze “The Economist” publikoi një artikull me titull “Pse Tirana, dikur një nga qytetet më të zymtë të Europës, tani ia vlen të vizitohet”, duke iu referuar Tiranës si një nga qytetet më pak të njohura të Ballkanit. Unë nuk mund të ndaj mendimet e mia duke iu referuar artikullit të autorit , por përfundimisht bie dakord me faktin se sot Tirana është  shndërruar në një vend shumë interesant për t’u vizituar, siç është edhe e gjithë Shqipëria, shkruan growingleader.com.

Unë jetoj dhe punoj në Tiranë, ndërkohë që vazhdoj studimet në MIP -International Flex EMBA . Për ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për Tiranën, unë guxoj të jap disa informata për këtë qytet. Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, një vend që ka jetuar nën regjimin komunist për gjysmë shekulli deri në 1991. Shqipëria ndodhet në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe  kufizohet nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Greqia, thotë autorja e shkrimit.

Për shkak të historisë së saj të gjatë, arkitektura e Shqipërisë është ndikuar nga shumë kultura si ilire, greke, romake, osmane, italiane, sovjetike dhe kineze, që kanë formuar ndërtesat e kryeqytetit dhe pjesën tjetër të Shqipërisë duke ruajtur disa nga karakteristikat më të dallueshme shqiptare, si stili i shtëpive shqiptare.

Diversiteti në arkitekturë dhe kulturë është reflektuar në mënyrën se si ne jetojmë dhe i bëjmë gjërat. Motoja e brezit tim që është rritur në Shqipëri ka qënë:  “Të jetosh në një mjedis kaotik duke ndryshuar dhe u përshtatur vazhdimisht”.

Duke u mbështetur në të dhënat historike, ndërtesat më të vjetra në Tiranë datojnë në fillim të shekullit të 17-të, të themeluara nga një gjeneral otoman i cili ndërtoi një xhami, një furrë buke dhe një hamam (sauna turke).

Tirana filloi të zhvillohej gjatë shekullit të 18-të, por , megjithatë ky qytet mbeti ende një vend mjaft i panjohur, derisa u shpall kryeqyteti i Shqipërisë në vitin 1920. Vendimi për ta deklaruar Tiranën si kryeqytetin e Shqipërisë u bazua kryesisht në pozicionin gjeografik,  i ndodhur në qendër të vendit, mes gegëve në Veri dhe toskëve në Jug, dy grupet kryesore etnike të Shqipërisë.

Tirana i detyrohet pjesës më të madhe të stilit arkitektonik,  arkitekturës italiane të shekullit të 20-të. Qendra e qytetit ishte projektuar nga dy arkitektë të njohur italianë në periudhën midis viteve 1920-1940. Gjatë kësaj periudhe, Florestano di Fausto dhe Armando Brasini përcaktuan themelet për ngritjen e ndërtesave ministrore, bulevardin kryesor, Pallatin Mbretëror dhe ish-ndërtesën bashkiake të Tiranës. Një thënie e vjetër nga një arkitekt i huaj që vizitoi Tiranën gjatë asaj kohe thotë: “Unë kam parë qytete pa bulevarde, por kurrë,  nuk kam parë një bulevard pa një qytet,  deri sa vizitova Tiranën”.

Në fund të periudhës së izolimit relativ në vend, Tirana ishte një qytet shumë i varfër me një popullsi prej më pak se 250 000 banorë. Praktikisht,  pa makina (makina private ishin të ndaluara), me më pak dyqane dhe pothuajse asnjë vend ku të argëtoheshe. Tirana kishte një numër të kufizuar të rrugëve, megjithatë, situata ka ndryshuar krejtësisht gjatë 25 viteve të fundit.

Sot, Tirana është qendra e jetës politike, ekonomike dhe kulturore në Shqipëri, duke qenë se  gjenden rreth një milionë banorë (rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë). Pavarësisht,  të ardhurat relativisht të ulta për banorë, rrugët e Tiranës kanë një numër të habitshëm të makinave luksoze. Gjenden shumë kafene dhe bare, të gjitha të mbushura me njerëz nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kultura e frekuentimit të lokaleve në Shqipëri për nuk është e njëjtë me atë të vendeve të tjera europiane. Në të vërtetë, shqiptarët ulen dhe shijojnë kafen ndërsa bisedojnë me miqte përreth tyre.

Tirana është një qytet i ri dhe plot gjallëri. Njerëzit janë shumë mikpritës, veçanërisht me të huajt. Zona kryesore e biznesit, shopingut dhe argëtimit quhet ”Blloku”, që është një zonë ku, në të kaluarën, liderët komunistë jetonin nën një mbikëqyrje të rreptë. Tirana është ndoshta i vetmi kryeqytet evropian ku njerëzit, për të gjetur se ku do të shkojnë, nuk përdorin emrat zyrtarë të rrugëve.

Për shkak të zgjerimit kaotik të qytetit gjatë këtyre 25 viteve të fundit, njerëzit kanë mësuar të orientohen bazuar mbi disa objekte shumë të njohura si hotele, monumente, bare e tjerë. Por, ky nuk është i vetmi rast ku shqiptarët reflektojnë një inerci kulturore që u reziston ndryshimeve.

Për shembull, monedha shqiptare, leku, u rivlerësua në vitin 1965 duke u kthye nga lek ”i vjetër” në lek ”i ri”. Megjithatë, njerëzit i përdorin këto nocione (100 letë të vjetra janë 10 lekë të reja) në varësi të situatës, që zakonisht çon në konfuzion dhe vështirësi në të kuptuar.

Secili nga monumentet e rëndësishme të Tiranës ka historinë e tij komplekse, edhe nëse lidhet me periudhën otomane apo me kohët më të vonshme. Monumentet më të famshëm përfshijnë Xhaminë e Et’hem Beut të shekullit XVII, një nga ndërtesat më të vjetra në qendër të qytetit, ndërtuar në stilin otoman.

Kulla e Sahatit, pranë saj, e ndërtuar rreth vitit 1820, ka patur një kambanë origjinale nga Italia, por ky sahat u shkatërrua gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe u zëvendësua, fillimisht me një orë me shifra romake, dhe më pas me një orë kineze. Ndërtesat qeveritare të stilit italian, bulevardi kryesor dhe Banka Kombëtare shumë e veçantë, u ndërtuan gjatë periudhës 1930-1940.

Guri i parë i Pallatit të Kulturës, i stilit sovjetik, në vitin 1963, ku ndodhen sot Opera, Teatri i Baletit dhe Biblioteka Kombëtare, është vendosur nga ish-lideri sovjetik, Nikita Hrushovi.

Në krah të tij ndodhet Muzeu Kombëtar, një ndërtesë e stilit socialist, e ndërtuar në vitin 1981, pas shkatërrimit të një ndërtese të stilit italian. Fasada kryesore karakterizohet nga një mozaik gjigant që quhet ”Shqiptarët”, që përfaqëson betejën për mbijetesë të këtij populli, që nga kohërat antike deri në ditët moderne.

Para pak kohësh, një ekip ndërkombëtar arkitektësh ka projektuar një plan konceptual, i njohur si ”Tirana 2030”.

Projekti udhëhiqet nga arkitekti i njohur italian, Stefano Boeri, me vizion kryesor tranformimin e Tiranës në një qytet që gjatë viteve të ardhshme do të lukajë një rol të rëndësishëm në rritje në tregun mesdhetar, si një urë mes Europës, Mesdheut dhe botës islamike. Ashtu si Çërçilli ka thënë: ”Ne u japim formë ndërtesave, më pas ato na japin formë neve”. Tani, le të shohim sesi do të formësohet e ardhmja e Tiranës…/ /a.i/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.