Marrëveshja Kosovë-Mali i Zi, hap i rëndësishëm për finalizimin e demarkacionit

139

TIRANË, 16 Shkurt/ATSH/.- Në këtë 10-vjetor të Pavarësisë, Kosova po shënon progres të rëndësishëm, sikurse është edhe arritja e marrëveshjes me Malin e Zi për ratifikimin e Demarkacionit.

Në një deklaratë të përbashkët Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Malit të Zi , Filip Vujanoviç inkurajojnë Kuvendin e Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin, të nënshkruar në vitin 2015.

Zyrtarë të lartë të Shqipërisë përshëndetën sot marrëveshjen e arritur mes presidentëve Thaçi dhe Vujanoviç.

Meta: Miratimi i Demarkacionit do të sjellë një pranverë europiane për Kosovën

“Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh se “Mali i Zi është partner i shkëlqyer i shqiptarëve Miratimi i Demarkacionit do të sjellë një pranverë europiane për Kosovën e qytetarët e saj”.

Rama: Deklarata e presidentëve, hap i rëndësishëm për finalizimin e demarkacionit

Kryeministri Edi Rama uron që finalizimi i marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi të mbyllet sa më parë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Rama shkruan “rrugës për Prishtinë ku sapo dëgjova për hapin e rëndësishëm drejt finalizimit të demarkacionit me Malin e Zi!Uroj të mbyllet sa më parë”.

Basha: Marrëveshja me Malin e Zi, një lajm i mirë për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi arritjen e marrëveshjes mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, në këtë përvjetor të 10-të të pavarësisë një lajm të mirë për Kosovën.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se “marrëveshja është një akt i qartë i bashkërendimit të Kosovës me aleatët tanë euroatlantikë. Shpreh bindjen se votimi i saj në parlamentin e Kosovës meriton vlerësimin e duhur nga institucionet europiane dhe se do të shpejtojë hapat e Kosovës drejt integrimit europian”./vijon/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.