Leku mbiçmohet edhe ndaj lirës turke e renminbit kinez

TIRANE, 16 Shkurt /ATSH/- Dinamika e mbiçmimit të Lekut kundrejt monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë, ka “prekur” edhe valutat e tjera si  lira turke e renminbit-in kinez.

Banka e Shqipërisë (BSH) vëren se, pavarësisht mbiçmimit modest të lekut ndaj euros, mbiçmimi i tij ndaj dollarit amerikan, e si rrjedhojë edhe ndaj lirës turke e renminbit kinez, mbetet i qenësishëm. Kursi nominal efektiv i këmbimit, (KNEK) që llogarit monedhat e të pesë partnerëve tregtarë kryesorë (Itali, Greqi, Gjermani, Turqi dhe Kinë), duke përdorur peshat përkatëse në tregti, shënoi një mbiçmim vjetor  prej rreth 4.5% në tremujorin e katërt 2017, në rënie kundrejt maksimumit prej 5.3% në tremujorin e tretë.

Për të njëjtën periudhë, kursi real efektiv i këmbimit KREK, u mbiçmua me 4.2%, nga 5.0% që shënonte në tremujorin e tretë. Indeksi real qëndron shumë pranë atij nominal që prej muajit shkurt të këtij viti, duke reflektuar diferencën e ulët mes inflacionit në vend dhe atij të vendeve partnere, vëren BSH-ja.

Kursi eur/lek ka shfaqur luhatshmëri të ulët gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, duke qëndruar brenda intervalit të ngushtë 132.7-133.9 lekë/euro. Edhe efekti sezonal i muajit dhjetor rezultoi disi më i zbehtë në krahasim me zhvillimet e viteve të kaluara .

Leku u mbiçmua kundrejt euros me 1,9% 

Thellimi i deficitit tregtar të mallrave në tremujorin e katërt diktoi një rritje të kërkesës për valutë. Nga ana tjetër, oferta për valutë ka vijuar të jetë e pranishme ashtu si edhe në tremujorët e kaluar, çka ka sjellë dhe qëndrueshmëri të kursit eur/lek. Ndërkohë, mbiçmimi vjetor i lekut kundrejt euros në tremujorin e katërt rezultoi mesatarisht 1.9%, në rënie nga mbiçmimi prej 2.9% i shënuar në tremujorin e tretë.

Ecuria e kursit ndjek tregjet ndërkombëtare

Ecuria e kursit usd/lek vijon të ndjekë kursin eur/usd në tregjet ndërkombëtare, ku zhvillimet pozitive të ekonomisë së Eurozonës ishin shkaqet kryesore të forcimit të euros kundrejt dollarit amerikan. Kursi usd/lek shënoi mesatarisht nivelin e 113.5 lekë/dollar në tremujorin e katërt, ose 10.0% më lirë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nënçmimi i dollarit u shfaq edhe brenda tremujorit, veçanërisht në muajin dhjetor, ku një dollar u këmbye mesatarisht me 112.6 lekë.
Në javët e para të muajit janar është vërejtur prapësimi i mbiçmimit sezonal të fundvitit dhe kthimi i kursit eur/lek pranë nivelit 134 lekë/eur.

Ndërkohë, dollari amerikan ka vijuar të nënçmohet, sikurse edhe në tregun ndërkombëtar. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.