Kosova dhe Mali i Zi arrijnë marrëveshjen për Demarkacionin

PRISHTINË, 16 Shkurt/ATSH/.- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviç kanë nënshkruar sot një marrëveshje të përbashkët për t’i hapur rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar në vitin 2015.

Në një konferencë për shtyp, presidenti Thaçi theksoi sot se “me domosdoshmërinë e lëvizjes sa më të shpejtë të perspektivës evropiane dhe fuqizimit të fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërisë për ratifikim duke vlerësuar dhe vullnetin e mirë të Malit të Zi dua të shpalos para jush që në 48 orët e fundit unë si president dhe presidenti i Malit të Zi nxorëm një deklaratë të përbashkët që i inkurajojmë Kuvendin e Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin”.

“Tani është koha bashkë si spektër politik të veprojmë. Kjo deklaratë është bazuar dhe nisur nga besimi i ndërsjellë dhe duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të dy vendeve dhe duke respektuar strategjinë e Komisionit Evropian”, theksoi Thaçi.

Më poshtë deklarata e plotë e presidentëve Thaçi dhe Vujanoviç:

Deklaratë e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç.

1- Duke filluar nga përkushtimi për të ndërtuar dhe promovuar marrëdhënie të mira miqësore dhe fqinjësore.
2 – Duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore , sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë
3- Të udhëhequr nga dëshira që në mirëbesim të përmbushen obligimet që rrjedhin nga Karta e Kombeve të Bashkuara , në veçanti duke pasur parasysh respektimin e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësinë dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me mjete paqësore pa kërcënime ose përdorim të forcës, në përputhje me Strategjinë e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor;
4- Republika e Kosovës dhe Malit të Zi kanë nënshkruar në Vienë më 26 gusht 2015 Marrëveshjen e Kufirit Shtetëror (tani e tutje duke ju referuar si “Marrëveshja”);
5 – Duke konfirmuar së në nenin 12 të Marrëveshjes ceket shprehimisht se Marrëveshja i nënshtrohet ratifikimit dhe hynb në fuqi ditën e pranimit të njoftimit të fundit dërguar nëpërmjet kanaleve diplomatike, me të cilën Palët njoftojnë njëra tjetrën që kanë pëmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore , të domosdoshme për hyrjen e saj në fuqi;
6 – Duke rikonfirmuar vullnetin e shprehur në nenin 9 të Marrëveshjes së nënshkruar nga të dy shtetet se mosmarrëveshjet eventuale lidhur me zbatimin e Marrëveshjes zgjidhen nga Qeveritë e të dy palëve nëpërmjet kanaleve diplomatike;

Republika e Kosovës dhe Malit të Zi me vullnet të mirë duke respektuar fqinjësinë e mirë, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve , me respektimin e parimit pacta sunt servanda pajtohen si në vijim:
* Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëeshjen sipas Nenit 12 të Marrëveshjes

* Republika e Kosovës dhe Mal i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se Marrëveshja që ka hyr në fuqi do të formojë një Trup të Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare.
* Palët pajtohen gjatë këtij procesi ,Trupi i Përbashkët Punues do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit sipas marrëveshje.
* Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishikoj dhe korrigjoj sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhelepit.
* Kjo deklaratë është përpiluar në gjuhën Shqipe,Serbe dhe Angleze.Në rast të ndonjë mospërputhjeje në interpretim, Marrëveshja e përgatitur në gjuhën Angleze do të mbizotërojë.
/k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.