Gjermania partnere e besueshme e Kosovës

PRISHTINË, 16 Shkurt/ATSH/.- Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në një letër urimi dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë e siguron atë se “Gjermania do të mbetet edhe më tej një partnere e besueshme e Kosovës”.

“Kur kthej kokën nga dhjetë vjetët e shkuar, gëzohem posaçërisht të shoh se shtetësia e Kosovës është arritur të konsolidohet në mënyrë të qëndrueshme. Më shumë se 110 njohje, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe rishtazi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian paraqesin një bazë të qëndrueshme për zhvillime të tjera të suksesshme në vendin Tuaj”, nënvizon Steinmeier.

Presidenti gjerman thekson se “në vitet e ardhshme mbetet qenësore që Kosova të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave, para se gjithash në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë”.

Kreu i shtetit gjerman e inkurajon presidentin Thaçi që Kosova së bashku me Serbinë të bëjë hapa përpara në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Ju mund të jeni të sigurt se Gjermania do të mbetet edhe më tej një partnere e besueshme e Kosovës. Edhe në emër të bashkëkombësve të mi, të gjithë qytetarëve në Kosovë iu uroj një të ardhme paqësore në mirëqenie dhe liri, ndërsa Juve mbarësi”, përfundon urimi i Steinmeier./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.