”Turbina” skena e re bashkëkohore, hapësira që nxit krijimtarinë artistike

TIRANE,13 Shkurt /ATSH-A.Alla/ –  Objekti i Turbinës Qendra Multifunksionale “Skena e re” është mundësi e përhershme krijuese dhe rikrijuese dhe ka për qëllim të zgjerojë repertorin e tipologjive hapësinore për veprimtaritë artistike, teatrore, muzikale, ekspozuese, kërcimi bashkëkohor, leximi letrar, kinematografi etj. Është surprizuese sesi një objekt industrial i braktisur, një objekt i shurdhët bëhet atraktiv sepse nuk i kufizon përdoruesit për qëllimet artistike.

”Turbina” është një nga kantieret e vetme me një histori të çuditshme. Ka nisur “jetën artistike” akoma në ndërtim e sipër.

E nisi me Mediterranea 18 – Young Artists Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana / Love Difference – i Mediterranei në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto dhe së fundmi ky kantier hyri në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine” ideuar për këtë skenë , kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit.

Ajo është një nga investimet e rëndësishme të Ministrisë së Kulturës. Turbina po ndërtohet me 2 salla me kapacitet 400 dhe 180 vende me një infrastrukturë dhe teknologji evropiane, (skena të motorizuara, ndriçim skenik, elemente akustikë) dhe 2 skena të hapura.

Salla 400 vëndeshe, me një transparencë dhe komunikim të lartë (dyert e mëdha në fasadë) mund të shtojë kapacitetin e saj në mënyrë kreative, duke u shndërruar në një skenë të hapur së bashku me oborrin. Ish -depozita e madhe e ujit së bashku me tarracën është përshtatur në një skenë të hapur për evente arti figuarativ, performancë bashkëkohore, etj.

I ngjashëm në ndërtim si një amfiteatër i vogël, në pjesën e pasme të objektit është një tjetër skenë per t’u shprehur në performanca artistike.Skemat e lëvizjes dhe komunikimit, ambientet e ndërmjetme janë gjithashtu hapesira kreative të përshtatshme për ekspozita dhe ceremoni të ndryshme.

Kjo skenë e re që i shtohet kryeqytetit do të përfundojë punimet në muajin maj.

https://www.youtube.com/watch?v=xrPa8iYmWJ0&feature=youtu.be

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.