Trump telegram urimi për pavarësinë e Kosovës

323

PRISHTINË, 13 Shkurt/ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pranoi sot telegramin e urimit të dërguar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Telegrami i është dhuruar të parit të shtetit nga diplomati amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

“Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj Kosovën në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së saj. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj”, theksohet në letrën e urimit të Trump.

Presidenti amerikan Trump shprehet se “ndërsa vendi juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve”.

“Ne e shikojmë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në këtë rast historik i uroj gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës”, përfundon letra e urimit e presidentit Trump./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.