Pahor deputetëve kosovarë: Ratifikoni demarkacionin dhe vazhdoni dialogun me Serbinë

193

PRISHTINË, 13 Shkurt/ATSH/.- Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, inkurajoi sot deputetët kosovarë që ta zgjidhin problemin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e BE-së.

Në seancën solemne të mbajtur në Kuvendin e Kosovës për nder të tij, Pahor theksoi se “Sllovenia do t’ju ndihmojë për zgjidhjen e këtij problemi. Përgjegjësi e BE-së është që të na hap dyert, mirëpo ne jemi përgjegjës për krijimin e bashkëpunimit. Është një detyrë e vështirë, por në fund njerëzit tanë shpërblehen. Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të arrihet një e ardhme më e mirë”, tha Pahor.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Pahor tha se “mbështet përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë që t’i zgjedhin problemet e hapura përmes negociatave të mbështetura nga BE-ja”.

“Është e rëndësishme që të zgjidhen problemet dhe të thellohet bashkëpunimi i përgjithshëm. Po i jap vetes të drejtë që t’ju them, vazhdoni dialogun, jo vetëm për zgjidhjen e problemeve të dy vendeve, por edhe krijimin e një klime të mirë për tërë rajonin, në mënyrë që të bindet BE-ja që edhe këto vende duhet të jenë pjesë e BE-së”.

Presidenti slloven u shpreh se “unë në përgjithësi e mbështes strategjinë e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor”.

Ai tha se ashtu sikurse sllovenët, edhe kosovarët e ka në themeluar shtetin e pavarur.

 

“Në këtë aspekt kam ardhur në Kosovë si një mik i shqiptarëve të Kosovës, i serbëve dhe si një mik i të gjitha etnive të tjera që jetojnë në Kosovë. Është tejet e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës që t’i ruaj dhe fuqizojë të drejtat e komuniteteve. Pavarësisht problemeve, është në rrugën e saj që t’i përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj”, nënvizoi Pahor.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli para deputetëve tha se “vizita e Presidentit Pahor në Kosovë është dëshmi e partneritetit dhe miqësisë që kemi ndërtuar në mes dy shteteve tona”.

“Sllovenia në vazhdimësi ka qenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj historike. Duke pasur këtë mbështetje, sot Kosova ndihet më e sigurtë dhe më e fuqishme në rrugën e saj euro-atlantike”, theksoi Veseli.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se adresimi i presidentit slloven Borut Pahor në Kuvendin e Kosovës shpreh më së miri frymën e partneritetit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.