Debate në Këshillin e Stabilizim-Asociimit për zgjedhjet, Macovei-Kukan: Ishin të mira

244

TIRANË, 13 Shkurt /ATSH- I. Vata/ – “Zgjedhjet e viti 2017 kanë qenë të mira, por duhet punuar ende për një ligj zgjedhor duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin”, deklaroi sot Kryetarja e Delegacionit të PE, Monica Macovei në takimin e 12-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, që po mbahet në Tiranë.

Dita e dytë e këtij takimi nën drejtimin e kryetares së delegacionit të PE, Monica Macovei dhe kryetarit të delegacionit shqiptar, Taulant Balla, në fokus kishte rekomandimet e OSBE-ODIHR për çështjet që prekin vendet dhe reforma zgjedhore ku ishte i pranishëm dhe eurodeputeti Eduart Kukan.

Konsensus për reformën zgjedhore

Kryetarja e delegacionit të PE, Monica Macovei foli për procesin e fundit zgjedhor dhe ato që do të vijnë, pasi kjo temë u prek nga anëtarët e mazhorancës dhe opozitës.

“Disa nga rekomandimet janë realizuar kanë përmirësime pozitive por ka shumë punë të tjera për për tu bërë. Mes rekomandimeve, autoritetet duhet të merren me reformën zgjedhore. Është shumë e rëndësishme duhet bërë analiza e politikave, analiza  e këtyre rekomandimeve në mënyrë që të ecet përpara. Duhet duhet të jenë të gjithë bashkë përsa i përket zbatimit të reformave dhe jo të ndodhë e kundërta. Të punojmë të gjithë së bashku që të bëhen ndryshime në ligjin për reformën zgjedhore ”, theksoi Macovei.

Më tej,  ajo sugjeroi partitë politike që të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore.” Të gjithë i keni rekomandimet, ato janë publike dhe në këtë aspekt, i referohem të gjitha partive. Disa nga ju kanë thënë se këto janë zgjedhjet më të këqija por në raport nuk është thënë kështu. Kemi patur delegacionin tonë në këto zgjedhje dhe nuk mund ta themi një gjë të tillë që janë zgjedhjet më të këqija, përkundrazi kanë qenë zgjedhje të mira. Ne i referohemi të gjitha partive, sigurisht rekomandimet  që jepen në raportin e OSBE-ODIHR  janë tepër të rëndësishme.

Edhe eurodeputeti Eduart Kukan duke iu referuar kundërshtive pa baza dhe mos dakordësisë mes partive politike në vend për standardin e zgjedhjeve, deklaroi se “zgjedhjet e qershorit ishin të mira”.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi tha se konsensusi për reformën zgjedhore është jetik për suksesin e saj. “Nëse reforma zgjedhore nuk do të këtë konsensus dhe nëse nuk do të ketë luftë kundër krimit të organizuar, reforma zgjedhore nuk do të ketë rezultat, nuk do të prodhojë asgjë dhe do të jetë përsëri një damkë e keqe për Shqipërinë”, tha ai.

Deputetja e PD, Albana Vokshi u ndal te strategjia për integrimin e Shqipërisë. “Kemi mbajtur qëndrim të qartë për hapjen e negociatave, pavarësisht qëndrimeve abuzuese të kryesuesve të këtij takimi. Ne do vazhdojmë të mundohemi të shtyjmë përpara procesin, ndryshe nga opozita e mëparshme. Ashtu siç vepruam për vite të tëra për një prej problemeve më të mëdha që ka sot vendi, kanabizimi. Edhe dekriminalizimi ka ndodhur falë nismës së opozitës. Shqipëria nuk ka bërë përparim në uljen e nivelit të korrupsionit. Frika jonë është se të gjithë veprimet që po bën sot qeveria, po shkel të drejtat kushtetuese. Shumë familjeve në varfëri ekstreme po u hiqet ndihma ekonomike,” tha Vokshi.

Ndërsa ish-ministrja e Integrimit, deputetja e LSI, Klajda Gjosha kërkoi konsensus dhe gjithpërfshirje. “Zgjedhjet nuk kanë qenë një kusht, por një nga kriteret kryesore sepse demokracia matet nga zgjedhjet dhe reforma zgjedhore duhet të mbyllet një herë e mirë. “Kemi patur një komision Ad Hoc dhe më vjen mirë që është ngritur sërish. E para, reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse, konsensuale, garantimi i mospërfshirjes së njerëzve me precedent penal në zgjedhje”, tha Gjosha.

Në fjalën e tij, Eduart Shalsi solli si shembull marrëveshjen e 18 majit, si një mënyrë e duhur dhe si një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Në fushatën e zgjedhjeve parlamentarë të vitit 2017, u kontrolluam nga opozita dhe padyshim ishin më të mira. Por a kemi mundësi të përmirësojmë procesin zgjedhor? Sigurisht që po dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR janë të qarta. Opozita e lexon raportin e ndërkombëtarëve siç lexon rezultatin më të dobët historik të saj në 27 vitet e fundit, pa reflektuar. Zgjedhjet nuk ishin perfekte, por padyshim më të mirat. Kemi mundësi për t’i përmirësuar dhe OSBE-ODIHR na ka vënë disa detyra për të përmirësuar procesin”, tha Shalsi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.